Berat, pastrim dhe ridimensionim i murit 8,5 m të lartë pranë urës së vjetër të Goricës

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Pas aksionit të kryer nga bashkia e Beratit u bë i mundur pastrimi i murit që përshkon itinerarin nga “Ura e Varur”, tek “Ura e vjetër e Goricës”.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, thekson se “bashkë me ekipet tona, bëmë të mundur pastrimin nga vegjetacionet, mbeturinat e inertet që gjendeshin përbri murit 8,5 m të lartë, që përshkon itinerarin nga “Ura e Varur”, tek “Ura e vjetër e Goricës””.

Duke iu referuar administratës paraardhëse, Demo shprehet se “prej dekadash deri më sot, asnjë gur s’vendosnin dot”.

Sipas tij, asnjë detaj që krijon shëmti e parregullsi nuk i shpëton vëmendjes së bashkisë.

“Pas përfundimit të pastrimit bashkë me inxhinierët, e ridimensionuam në formën e tij origjinale, duke i dhënë formën e dikurshme, këtij muri gurësh, që ‘ironizonte’ prej kohësh bukurinë e lagjes muzeale Goricë”, tha Demo.

Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës. Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.