3 kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në seancë dëgjimore

TIRANË, 29 tetor/ATSH – Arbi Fortuzi/ Tre kandidatë për Gjykatën Kushtetuese janë thirrur të martën në Komisionin e Ligjeve në një seancë dëgjimore, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarët Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, teksa kryetari i këtij Komisioni, Ulsi Manja, në nisje të punimeve, ka kujtuar se gjyqtari Besik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga lista e propozuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Gjatë prezantimit të saj, kandidatja Vorpsi theksoi se nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar në struktura politike, teksa nënvizoi se eksperienca e saj do t’i vijë në ndihmë Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtarja Elsa Toska, gjithashtu, vuri theksin tek eksperienca e saj në fushën e së drejtës kushtetuese. “Në vizionin tim Gjykata Kushtetuese duhet të orientohet tek respektimi i të drejtave të njeriut, në forcimin e legjitimitetit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të bëhet neutralizuese e debateve kushtetuese politike”, – tha Toska ndër të tjera./vijon/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.