Siguria ushqimore/ Kapshticë, kontrolle për zbatimin e ligjit

TIRANË, 28 tetor /ATSH/- Sfida e Sigurisë Ushqimore, mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve dhe mbajtja pastër e tregut të brendshëm nga produkte të pasigurta për konsum janë fokusi i çdo dite pune të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe të drejtuesit të saj.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Robert Lili në kuadër të intensifikimit të kontrolleve, monitorimin e planit të veprimit dhe kontrollin e zbatimit të ligjit monitoroi Pikën e Inspektimit Kufitar Kapshticë.

Gjatë kontrollit në një nga pikat kryesore doganore në vend  Lili vendosi theksin tek zbatimi me rigorozitet të ligjit, forcimin e kontrolleve për çdo ngarkesë me produkte ushqimore që tenton të futet në vendin tonë për konsum human.

Duke theksuar se “Trau” i asnjë pike doganore nuk do të ngrihet për asnjë ngarkesë ushqimore që nuk plotëson standardet e parashikuara nga Legjislacioni Shqiptar, Lili kërkoi nga ana e inspektorëve të veprojnë konform ligjit dhe me mbështetjen e plotë të tij për të garantuar sigurinë ushqimore në vend.

Tolerancë zero ndaj çdo tentative për të mashtruar nëpërmjet praktikave të importit në dëm të shëndetit të konsumatorëve Shqiptar, pikat e Inspektimit kufitar janë pika nevralgjike në shërbim sfidës për mbajtjen pastër të tregut dhe garantimit të sigurisë ushqimore.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.