Marrëveshje për dixhitalizimin e dokumenteve arkivore të Komunitetit Katolik në Shqipëri

TIRANË, 25 tetor /ATSH/-  Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me Komunitetin Katolik në Shqipëri, për dixhitalizimin e dokumenteve arkivore të Komunitetit Katolik në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe Ipeshkvi Gjergj Meta.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tha se kjo marrëveshje konsiston në digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit të Komunitetit Katolik në Shqipëri dhe të çdo materiali tjetër që është krijuar për Komunitetin Katolik që ndodhet në Fondet Arkivore.

“Në radhë të parë është korrigjimi i një padrejtësie historike përmes një vije të përbashkët ku i gjithë dokumentacioni i cili është sekuestruar komuniteteve fetare iu rikthehet atyre tashmë në formë digjitale ndërkohë që kopja origjinale ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, ku ekzistojnë kushtet e nevojshme të ruajtjes së saj” tha Bido.

Gjithashtu Bido theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të sigurojë teknologjinë dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e procesit të digjitalizimit dhe të depozitimit të dokumenteve, ndërsa Komuniteti Katolik do të vërë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, persona nga stafi i tij me qëllim skanimin e dokumenteve.

Ipeshkvi Gjergj Meta vlerësoi shumë këtë moment si një hap i mjaft të rëndësishëm. Ai përshëndeti iniciativën e ndërmarrë dhe për këmbënguljen për të gjetur një zgjidhje.

“Kjo është një padrejtësi që i është bërë arkivave të Kishave Katolike, duke u konfiskuar, tani po riparohet në një farë mënyre, nëpërmjet kësaj rruge të ndërmjetme, që është digjitalizimi. Duhet thënë një fakt, sikurse thotë një shprehje, ‘Jo çdo e keqe vjen për të keq’, në fakt falë Arkivit Qendror Shetëror shumë dokumente janë ruajtur” u shpreh Ipeshkvi Gjergj Meta.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, Dokumentet do të skanohen sipas parimeve tekniko-profesionale arkivore, në nivel Fondi, Viti, Dosje dhe Fletë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.