Kuçovë, në 6 vite mbi 10 milionë euro investime

TIRANË, 28 tetor/ATSH-Maela Marini/  “Kuçova ka njohur dorën e ndryshimit dhe në 6 vite ka mbi 10 milionë euro investime në infrastrukturën rrugore, mbrojtjen lumore, ujin e  pijshëm etj”, deklaroi sot në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj

Në seancën e posaçme plenare që i kushtohet problemeve të qytetarëve, Felaj u ndal te problemtikat e banorëve të Kuçovës.

Felaj u ndal edhe te investimi i pritshëm i NATO-s për bazën ajrore të Kuçovës, ndërsa i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes që të nxisë fillimin e këtij investimi në fillim të vitit të ardhshëm.

Duke u ndalur te problematikat e qytetarëve, Felaj tha se “drejtoria e Kadastrës nuk po funksionon ende sipas ligjit”. “Aplikimet për legalizimet ende nuk janë transferuar nga ALUIZNI Kuçovë në Kadastër, duke krijuar premisa të qarta korrupsioni”.

“Zgjidhja e problemit do të krijonte një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e  legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale. Kemi banesa edhe aty ku ndodhen puset e naftës por ky është një realitet tashmë prej 30 vitesh që neve na ngelet vetëm ta sistemojmë”, tha Felaj.

Ajo u dal edhe te nevoja e nxitjes së arsimit të mesëm profesional në Kuçovë, veçanërisht në fushën e naftës. “Nuk ka asnjë arsye për të mos e rikthyer këtë shkollë profesionale në Kuçovë. Interes për të punuar si naftëtar apo dhe si minator ka pasur dhe do ketë aty ku janë këto pasuri. Mos t’i mëshojmë një justifikimi se ka rënë numri i nxënëse sepse sipas kësaj llogjike para 70 viteve nuk do të hapej asnjë shkollë. Ne nuk e garantojmë të ardhmen e këtij sektori nëse nuk i japim mundësinë të rinjve. Në këtë mënyrë këta të fundit do të kenë edhe një arsye më shumë për të qëndruar në qytetet e tyre”, tha Felasj.

Ajo ngriti po ashtu edhe shqetësimin e njësisë administrative Lumas, e cila edhe pse ka kaluar 4 vite nga kryerja e reformës territoriale shërbimet i ka të lidhura me qendrën e vjetër, Beratin, ndërkohë që i ka kaluar bashkisë Kuçovë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.