64 subjekte gjobiten për moslëshim të kuponit tatimor

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë publike shifrat e kontrolleve të ushtruara në biznese gjatë periudhës 18 – 27 tetor, ku sipas raportit janë kryer 1139 kontrolle dhe janë konstatuar 292 shkelje të legjislacionit tatimor.

Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, 38 subjekte kanë rezultuar të paregjistruar në organet tatimore.

“64 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 5 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë)”, – njofton Drejtoria e Përgjithshme  e Tatimeve.

Sipas shifrave të publikuara, 38 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 32 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 6 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh”.

8 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 6 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune ndërkohë 53 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

Strukturat e Monitorimit në vijojnë kontrollet në terren në të gjithë vendin njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.