VIDEO/Impiant modern për trajtimin e ujërave të ndotura në Shkodër, përfitues 104 000 banorë


TIRANË, 26 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bashkimin Europian si dhe me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) janë duke hartuar një projekt për ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të ndotura në qytetin e Shkodrës, që do t’i vijë në ndihmë 104 000 banorëve.

Ky projekt që po hartohet në bazë modelit efikas të impiantit të ujërave të ndotura të ndërtuar në Shirokë, që i vjen në ndihmë 2 000 banorëve, ndërsa mbron dhe mjedisin në Liqenin e Shkodrës, duke stimuluar turizmin dhe zhvillimin ekonomik rajonal.

Impianti i Shirokës i realizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), dhe qeveritë Zvicerane dhe Austriake, ka kushtuar 19, 45 milionë euro. Ky projekt fillimisht i ka ardhur në ndihmë 2 000 banorëve të Shirokës, teksa targeti final është 104 000 persona, duke përfshirë të gjithë qytetin e Shkodrës.

Rezultatet e arritura nga impianti i Shirokës, janë ulja e frekuencës së përmbytjeve, rreziku ndotjes mikrobike të burimeve ujorë nëntokësore që furnizojnë Shkodrën është zvogëluar, cilësia e ujit përmbush standardet ndërkombëtare të OBSH. Shkarkimi  ujërave të zeza të patrajtuara në liqenin e Shkodrës janë zvogëluar. Është realizuar dhe menaxhimi dhe funksioni i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Puna në këtë impiant u inspektua dhe nga Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Peter Zingraf.

Mark Molla, Administrator i Ujësjellës dhe Kanalizimeve Shkodër, u shpreh se pritet finalizimi i një projekt të ri, një impianti modern për trajtimin e ujërave të ndotura në të gjithë bashkinë Shkodër.

“Në kuadër të bashkëpunimit me BE dhe qeverinë Gjermane po përgatitet një projekt tjetër për trajtimin e ujërave të zeza në të gjithë Bashkinë Shkodër. Deri më sot 65% e ujërave të ndotura largohen nga qyteti, por nuk përpunohen, prandaj është e nevojshme që edhe Shkodra të ketë impiantin e saj të përpunimit të ujërave të ndotura. Pikërisht për këtë po realizohet dhe projektimi, që është një augur i mirë për qytetarin e Shkodrës”-, tha Molla.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf, u shpreh se “Përmes investimeve të tilla, përmirësojmë kushtet e jetesë së qytetarëve. Po ashtu sigurojmë zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, si edhe mbrojtjen e natyrës”.

“Shpresojmë që investime të tilla të vijojnë dhe në faza të tjera, duke prekur të gjithë qytetin e Shkodrës, duke krijuar kështu mundësinë për të mbrojtur edhe më mirë liqenin”-, theksoi Zingraf.

“Projekte të tilla, që janë të bazuara në cilësinë e performancës, janë garanci për vendin. E konsiderojë diçka shumë të mirë, të shkëlqyer që përmes trajtimit të ujërave të ndotura të përmirësohet dukshëm cilësia e jetesës për rreth 2 000 banorë të Shirokës, por duhen përpjekje dhe më të mëdha për të shtrirë këtë projekt në të gjithë qytetin e Shkodrës. KFW po diskuton për këtë mundësi, që planet për këto projekte të vijojnë edhe në të ardhmen”-, tha Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.