Sekrete mjeshtërie/ Nermin Ahmeti, “shpirti” i Shkollës së Baletit

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kur ishte e vogël, ajo ishte “shpirti i vogël i babës”, sot është “shpirti i baletit” dhe gjithë jetën i mbeti emri: Zysh Piti. Nuk ka balerin shqiptar, që nuk e njeh atë, sa e dashur, aq edhe e rreptë, mësuesja e sa e sa breza artistësh me karrierë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Nermin Ahmeti apo Zysh Piti hyri në rrugën e baletit shumë vite të shkuara, kur për shumë shqiptarë ishte një tabu.

“Nëna ime ka qenë e emancipuar për kohën dhe gjithnjë thoshte që vajzat do t’i bëj artiste ose sportiste, dhe në të vërtetë ashtu u bëmë. Nga 6 motra, dy u bëmë artiste e dy sportiste”, tregon ajo për ”Sekrete mjeshtërie”.

“Në vitin 1957, kur erdhi nga Rusia një brez i tërë të shkolluarish atje, si Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Zoica, Ganimeti, etj., u hap për të parën herë Shkolla e Baletit. Ne ishim një grup shoqesh 10-vjeçare, që u paraqitëm atje dhe ato që përmbushnin kriteret, u pranuan. Shkolla zgjaste 6 vjet, por mua më morën në punë një vit përpara se të mbaroja shkollën. Punova disa vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku realizova edhe role solistike. Më pas, në vitin 1969 fillova punë si mësuese teknike në Shkollën e Baletit. Jam e para mësuese efektive, pasi kishte shumë të tjerë që punonin me kohë të pjesshme, ndërsa punonin në TOB”, tregon ajo, ndërsa shumë njerëz e përshëndesin.

Pikërisht në Shkollën e Baletit doli në pension, por pa u shkëputur asnjëherë nga profesioni i saj. Mjafton t’i shohësh harkun e vetullës për të kuptuar se sa e rreptë ka qenë, por ish-nxënësit i janë falenderues për disiplinën e punës, që ajo u mësoi. Dion Gjinika, Ezdalin Gorani e shumë të tjerë, kanë qenë nxënësit e saj.

“Punohej me shumë pasion si nga mësuesit, ashtu edhe nga nxënësit. Kemi nxjerrë artistë të talentuar, që kanë bërë karrierë dhe jashtë vendit. Të gjithë janë punësuar në profesionin e tyre. Madje edhe të gjitha mësueset e sotshme të Shkollës së Baletit janë ish-nxënëset e mia”, thotë ajo, ndërsa në zë i ndihet një dozë krenarie e malli.

Por kohët kanë ndryshuar dhe ajo e ka një vërejtje. “Atëherë pranoheshin vetëm 20 nxënës, 10 vajza e 10 djem, sepse edhe salla e baletit aq kapacitet kishte, dhe puna e mësuesit ishte më cilësore. Ishte e pamundur të kishe 11, na kërkonin llogari. Pranoheshin vetëm më të talentuarit, ndërsa sot pranohen dyfish. Ç’mund të bëjë mësuesi?”

Për këdo që mendon se baleti është ”punë qejfi”, ajo thotë: “Të gjitha profesionet janë të vështira, çdo zhanër artistik është i vështirë, por baleti është edhe më shumë, kërkon shumë punë individuale. Përpara çdo shfaqjeje kërkohet një orë ngrohje muskujsh, sepse mund të ndodhin aksidente. Aq sa i bukur, po aq edhe i lodhshëm është. Pedagogu ynë Agron Aliaj na thoshte gjithnjë: Nëse e lini një ditë baletin, do të shkoni 3 ditë mbrapa. Duhet punë e përditshme dhe këtë ua këshilloj nxënësve të mi. Por gjithçka varet nga pasioni dhe dëshira, thotë mësuesja e baletit”.

Për Zysh Pitin, e vërteta vjen mbi gjithçka. Për asnjë moment nuk ka dashur të zhgënjejë pritshmëritë e nxënësve dhe prindërve. E ardhmja e fëmijëve nuk është biznes.

“U them gjithnjë: Nëse nuk keni dëshirë, mos humbisni kohë kotë, zgjidhni një profesion tjetër. Kujtoj një episod të tillë. Dikur i thashë një vajze, që nuk kishte të ardhme në balet: Lëre, shko e bëhu doktoreshë, kur të plaket zysha, më shëron. Shumë vite më vonë, kur shkova në Pediatri për tim nip, vjen një vajzë e më hidhet në qafë. Nuk e njoha. Më tha: Zysha, jam ajo vajza që më the të bëhesha doktoreshë. Faleminderit, kishe të drejtë”.

Ka punuar kaq shumë vite, ka marrë edhe vlerësime e dekorata qysh para viteve ’90 dhe Shkolla e Baletit nuk mund të kuptohet pa imazhin dhe emrin e saj, por edhe sot ajo vazhdon të punojë. Nxënës të Shkollës së Baletit shkojnë tek ajo për t’u perfeksionuar, ndërsa fëmijë të vegjël të marrin mësimet e para.

U mëson tango, samba, rumba, çaçaça… Ka edhe nga ata që duan të mësojnë të kërcejë vallet popullore. Këto të fundit duan t’i mësojnë ata, që kanë dasma përpara…

Zysh Piti u gjendet të gjithëve… Merr biçikletën me kosh ngjyrë violë dhe niset drejt palestrës, ku ca flutura të vogla e presin të marrin mësimet e para.

(Ky profil është marrë nga rubrika e Ministrisë së Kulturës që mban emrin “Sekrete Mjeshtërie). /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.