TIRANË, 26 tetor/ATSH/ “Rilindja Urbane” po transformon krejtësisht hapësirën publike të Roskovecit.
Kantieret e transformimit urban janë shtrirë nga qendra në blloqet e banimit. Tashmë është drejt përfundimit ndërtimi i godinës së re të bashkisë dhe rikonstruksioni i bulevardit kryesor, shtrimi me pllaka guri, rehabilitimi i fasadave të ndërtesave dhe veshjen me pllaka guri të kateve të para.
Drejt përfundimit është edhe rehabilitimi i bllokut të banimit nr.2, që përfshin ndërhyrjet në rrjetin inxhinierik, ujësjellës dhe kanalizime dhe rehabilitimin e fasadave të pallateve.
Kryeministri Edi Rama ishte në Roskovec, ku pa nga afër ecurinë e punimeve për rikualifikimin urban, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 3,5 hektarësh.
Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi shpjegoi në detaje punën e deritanishme, e cila nisi mbi gërmadhat e ngrehinave të amortizuara që përhapnin ndotje dhe krijonin kaos.
Si ndërtimin më të veçantë, ajo cilëson ndërtesën e re të bashkisë, një infrastrukturë moderne që do të përmbledhë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve në një “One stop shop”. Ndërkohë që ndërtesa ekzistuese, më e vjetra e qytetit, do të shërbejë si muze i traditës.
“E gjithë pjesa përfituese e rikualifikimit urban është një sipërfaqe prej 3,5 hektarë. Përfshihen disa nënobjekte që kanë të bëjnë me sheshin. Është plotësuar e gjithë pjesa e infrastrukturës nëntokësore që ka të bëjë me furnizimin e ujit të pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Kemi pjesën e fasadave ku të gjitha katet përdhe kanë marrë këtë veshjen me gurë, suvatimet e godinave, të cilat nuk kanë qenë dhe lyerjet e tyre. Është pjesa e ndriçimit në të gjithë hapësirën që rikualifikohet, pjesa e gjelbërimit”, tha ajo.
Kryebashkiakja Bufi theksoi se “është dhe godina e re e bashkisë që do t’i përmbledhë në një ndërtesë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve”.
“Janë dy sheshe. Njëri është planifikuar për aktivitet të ndryshme që do të bëjë bashkia e qytetit, si dhe takime të ndryshme. Një sipërfaqe e gjelbër i është dedikuar moshës së tretë dhe fëmijëve. Këtu më përpara ka patur disa godina të cilat ne i kemi hequr me shumë punë. Ato kanë qenë godina të amortizuara që krijonin një papastërti dhe ndotje të madhe të të gjithë ambientit. Godina atje është një godinë ekzistuese e bashkisë, një nga më të vjetrat e ndërtuar në vitin 1926, e cila do të kthehet në muze, për të pasqyruar një pjesë të traditës së Roskovecit dhe të zonës më gjerë”, tha ajo.
Në bashkinë e re, sipas saj, “një hapësirë do t’i dedikohet One Stop Shop, ku qytetarët do t’i marrin aty të gjitha shërbimet”. /m.m/ /a.g/