Rikonstruksioni i qendrës së Fierit e rehabilitimi i Gjanicës/Rama: Transformim rrënjësor që nxit zhvillim ekonomik e turizmin

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Punimet për rehabilitimin e qendrës së Fierit dhe lumit Gjanica po shkojnë drejt përfundimit. Ky projekt synon të rikthejë Lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit dhe të rikonceptojë një shesh qendror, i cili mungon për qytetin.

Kryeministri i vendit, Edi Rama i cili ka inspektuar sot punimet për rikonstruksionin e qendrës së Fierit dhe rehabilitimin e Gjanicës, ka publikuar një video ku shihen ndryshimet. Ai thekson se falë programit të Rilindjes Urbane po shkon drejt përfundimit një tjetër transformim rrënjësor aty ku deri dje lumi ishte bërë makthi i qytetit të Fierit.

“DREJT PËRFUNDIMIT NJË TJETËR TRANSFORMIM RRËNJËSOR, aty ku deri dje lumi ishte bërë makthi i qytetit të Fierit, sot falë programit të Rilindjes Urbane, po kthehet në asetin urban e natyror më të çmuar, i integruar me hapësirën e re këmbësore të zemrës së qytetit, ku po rritet vlera e pronave dhe po nxitet zhvillimi ekonomik e turizmin”, -shprehet Rama.

Lirimi i hapësirave publike dhe aksesimi i drejtpërdrejtë i lumit; shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara në zonë, kryesisht përgjatë brigjeve të lumit dhe përgjatë rrugëve; sistemimi i infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore; konceptimi i disa minishesheve dhe akseve për të krijuar lidhje me parkun qendror të qytetit, janë disa nga objektivat e  projektit, që do t’i japë qytetit një dimension të ri urban.

Aktualisht punimet në shtratin e lumit Gjanica janë drejt fundit. Kanë përfunduar ndërhyrjet në të dyja urat e këmbësorëve, ku njëra ka qenë për t’u rikonstruktuar dhe tjera është ndërtuar totalisht e re.

Ka përfunduar parkimi nëntokësor me 100 vende dhe shtrimi me pllaka guri i sheshit qendror prej 21,671 m2 i cili i ka munguar qytetit. 

Ndërkohë po punohet me realizimin e shkallareve, trotuarëve me pllaka guri dhe zonave të gjelbra përgjatë lumit Gjanica.

/z.t/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.