Pendarovski: Të dy shteteve duhej t’i hapeshin negociatat, e vetmja e ardhme e përbashkët integrimi në BE

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në vendin tonë me ftesë të Presidentit Ilir Meta.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit të dy presidentëve, Pendarovski u ndal te bashkëpunimi mes dy vendeve. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim që është dhe vërtetim për marrëdhëniet e përkryera mes dy shteteve. Ne na lidhin shumë gjëra, historia, gjeografia, sfidat e përbashkëta, e ardhmja e përbashkët euroatlantike”, – tha presidenti Pendarovksi.

Presidenti maqedonas propozoi mbajtjen e një Samiti të Jashtëzakonshëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Europian.

“U pajtuam që obligimi ynë si kryetar të shteteve është t’i inkurajojmë të gjithë faktorët politikë në shtetet tona që të vazhdojnë me zbatimin e obligimeve nga axhenda europiane, në interes të qytetarëve tanë dhe t’i bindim liderët europianë se negociatat me vendet në rajon janë investim në stabilitet dhe prosperitet. Në këtë kontekst, unë propozova që shtetet e Ballkanit Perëndimor në periudhën e ardhshme të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm ku do të diskutojmë për marrëdhëniet ndërfqinjësore, dhe pas kësaj edhe me alternativat e zgjerimit. Nëse ekziston dakordim për këto punë, konsideroj se Maqedonia e Veriut të jetë mikpritëse e këtij samiti”, tha ai.

“Me rëndësi të madhe për ne është edhe mbështetja e deritanishme e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, – tha Pendarovski, duke shtuar se, – duhet të drejtojmë energjinë dhe vëmendjen tonë edhe tek bashkëpunimi ekonomik”.

Gjithashtu, ai ka propozuar  një nismë për formimin e një grupi joformal për miqësinë maqedonase shqiptare ku të takohen bashkë intelektualë të shquar, biznesmenë, përfaqësues të kulturës, të rinj, një herë në njërin shtet dhe një herë në tjetrin, për të dhënë propozime mbi bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje.

Ndërkohë, i pyetur rreth procesit të hapjes së negociatave të dy vendeve me Bashkimin Europian dhe idesë së një ndarjeje në këtë proces, Pendarovski nënvizon se procesi i ndarjes së dy shteteve nuk ka qenë asnjëherë pjesë e fjalorit politik të Maqedonisë së Veriut.

“Procesi i ndarjes së dy shteteve asnjëherë nuk ka qenë pjesë e fjalorit tim politik sepse mendoj se të dy shtetet duhet të fillonin negociatat për aderimin në BE. Ne harxhuam shumë kohë ti bindnim miqtë tanë europianë, besoj se kjo është bërë dhe nga ana e Shqipërisë, që t’i bindnim se nuk bëhej fjalë për anëtarësim të plotë, por bëhej fjalë vetëm fillim të një procesi që do të vazhdojë me vite të tëra. Serbia është në vitin e pestë negociatave, Mali i Zi është në negociata shtatë vite e gjysmë. Pra bëhet fjalë për një proces të gjatë  ku do kemi kohë të mjaftueshme t’i miratojmë standardet europiane dhe kjo është mënyra më e mirë e mundshme për bërjen e reformave. Teza ime e vjetër është se rajoni nuk duhet harruar. Këtë vit ishim ne dhe Shqipëria në rendin e ditës.  Bashkimi Europian duhet të gjejë forma, mënyra e modalitete për të afruar edhe Bosnjën e Hercegovinën në BE aspektin institucional. Nëse nuk kemi Ballkan të qëndrueshëm, ne dhe as kontinenti i Europës nuk mund të ketë stabilitet”, – u shpreh Pendarovski.

Presidenti maqedonas shtoi ndër të tjera se “shqetësimi tek ne dhe bashkështetasit e mi, siç shkaktoi dhe vendimi negativ, njëkohësisht është dhe fjalori që u përdor nga liderët dhe nga presidenti francez pas përfundimit të mbledhjes. Ai përmendi fjalën fqinjësi kur përmendi Ballkanin Perëndimor. Ne nuk jemi fqinj, ne jemi në proces të bëhemi anëtar sepse jemi vende të kontinentit europian. Ajo që nuk u tha publikisht, por u përmend në disa takime, u përmend forma e asociimit me atë komunitet. Ne nuk na mjafton të jemi pjesë e tregut të përbashkët europian por duhet të jemi pjesë e institucioneve politike të Europës që të zbatojmë vlerat demokratike të BE.  Nëse bëhet fjalë që në periudhën e ardhshme në propozimet zyrtare nga KE dhe BE që do shkojnë në ofrimin e alternativave, formave të partneritetit dhe fqinjësisë, mendoj që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një qëndrim të përbashkët dhe të thonë JO për asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.