Ornela Lamaj i drejtohet bashkëqeverisjes, zgjidhet problematika edhe për 467 studentë të Durrësit

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes të Ornela Lamajt, u zgjidh problemi për 467 studentët që kanë përfunduar bachelorin për Ekspert Procesformimi në Universitetin e Durrësit dhe duan të ndjekin një master në mësuesi dhe më pas të punësohen.

Për vitin e dytë rresht, Ornela Lamajt i refuzohej e drejta e stazhit të punës me pretendimin se diploma bachelor dhe ajo master nuk përputheshin me njëra-tjetrën.

Ajo vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, dhe falë ankesë së saj ky problem i cili qëndronte edhe për 467 studentë të tjerë të degës që kishte përfunduar Ornela, u zgjidh përfundimisht.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje rastin e Ornelës, e cila tashmë është e lirë të punojë si mësuese e shkencave sociale.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Ornelës, e cila, pasi e shkroi problemin e saj te shqiperiaqeduam.al, jo vetëm që tashmë është e lirë të punojë si mësuese e shkencave sociale, një profesionin për të cilin ka sakrifikuar shumë për t’u shkolluar, por i dha zgjidhje edhe 467 studentëve të tjerë si ajo, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Ornela Lamaj kishte përfunduar bachelor për Ekspert Procesformimi në Universitetin e Durrësit. Në vitin 2015 ishte diplomuar gjithashtu për Mësuese e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

“Pasi u diplomova, fillimisht duhet të bëja stazhin. Më ndodh që kur u paraqita te Drejtoria Arsimore Tiranë më thanë se ke një mospërputhje diplomash. Duhej që diploma ime e bachelorit të ishte për Shkenca Sociale dhe jo për Ekspert Procesformimi ose për Inspektore Arsimi. Por ndërkohë unë kisha bërë edhe një sërë provimesh të tjera shtesë që kjo diplomë të më njihej, gjë që nuk u mor parasysh as nga Ministria as nga institucionet e tjera. Për rrjedhojë për gati 4 vjet nuk përfundova dot as praktikën profesionale, jo më të punësohesha. Kanë qenë të pafundme streset e mia pasi më duhej të shkoja në Universitetin e Durrësit të sqaroja diplomën, pastaj duhet të kthehesha në Tiranë të sqaroja problematikën e masterit. Për të mos folur për vitin e fundit që humba dhe nënën”, tha ajo.

Ornela tha se vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes me një letër, edhe pse kishte pak shpresë.

Pasi shkruajta në platformën e bashkëqeverisjes erdhi një e-mail ku më njoftonte se tashmë problematika ime ishte zgjidhur dhe jam e lirë të punojë si mësuese e Shkencave Sociale. Më gëzoi pafundësisht jo vetëm për zgjidhjen time, por edhe për studentët e tjerë që nuk janë pak, por plot 467 studentë që, falë rastit tim, morën edhe ata zgjidhje”, tha Ornela. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.