FOTO/ Ruçi-Pendarovski: Na bashkon e ardhmja

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot pasdite Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Gjatë bashkëbisedimit Ruçi nënvizoi se “Shqipëria është një fqinje dhe mike e madhe, e sinqertë dhe e përhershme e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët parlamente që ratifikoi Protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Të dy popujt dhe vendet tona i bashkon e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Ne duhet të bashkëpunojmë, sepse kështu i përballojmë më mirë e më lehtë sfidat e përbashkëta që kemi përpara. Bashkëpunimin e shkëlqyer politik duhet ta shtrijmë edhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik. Vendimi i Këshillit Europian nuk na dekurajon, por na bën të shohim përpara, drejt së ardhmes. Vendet tona kanë vetëm një plan A për të ardhmen dhe ky është destinacioni i Bashkimit Europian. Ne inkurajojmë qëndrimet konstruktive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe kontributin e tyre në shërbim të zhvillimit, prosperitetit dhe integrimit europian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne mendojmë se është në interes të Maqedonisë së Veriut të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur të drejtat kulturore e arsimore të shqiptarëve në kuadër të implementimit të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Vlerësojmë punën e bërë deri tani për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe besojmë se zbatimi i duhur i Ligjit për gjuhët dhe vendosja e shpejtë e mekanizmave të monitorimit do të siguronin një qasje më të mirë dhe më të drejtë në shërbime për shqiptarët”.

Presidenti Stevo Pendarovski falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët e ngrohta dhe vlerësimin për bashkëpunimin midis të dy vendeve.

“Vendosa me dëshirë që vizitën e parë në vendet fqinje ta kryeja në Shqipëri. Ju falenderoj për ratifikimin e menjëhershëm të Protokollit të anëtarësimit tonë në NATO, sepse anëtarësia në këtë Organizatë është jetike për Republikën tonë. Ne u jemi mirënjohës shqiptarëve për përfshirjen, kontributin dhe mbështetjen për reformat dhe avancimin tonë drejt familjes europiane. Falenderojmë Shqipërinë për sjelljen europiane dhe të pjekur ndaj pakicës maqedonaseveriore në vendin tuaj. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të pranojnë asnjë alternativë tjetër, përveçse anëtarësimit në BE. Ne duhet të mbështesim njeri-tjetrin dhe kështu e shpejtojmë dhe lehtësojmë rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, – nënvizoi Presidenti Stevo Pendarovski.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.