Nis “Tri Net Film Fest” në Zyrih, festival i filmit me metrazh të shkurtër

PRISHTINË, 25 tetor/ATSH/ Në Zyrih të Zvicrës ka nisur festivali i filmit “Tri Net Film Fest”. Organizatorë të festivalit janë Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) në bashkëpunim me studion “Aktrimi”. Festivali do të zgjasë tri netë, ku do të shfaqen filma të metrazhit të shkurtër.

Në festival marrin pjesë regjisorë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Karakteri i festivalit është jogarues dhe ka për qëllim lidhjen e artistëve, regjisorëve e aktorëve të këtyre vendeve me Diasporën.

Qëndresa Fazliu nga Zyra për Informim në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ka dhënë detaje rreth këtij festivali, i cili është në kuadër të aktiviteteve që kjo ministri po organizon për “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Diasporë.

Në një intervistë, Fazliu është shprehur se qëllimi i MDIS-it, edhe përmes këtij festivali, është që të forcojë lidhjet mes diasporës shqiptare dhe vendlindjes, ndërsa është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen e regjisorëve dhe artistëve në këtë festival.

Ajo ka lënë të hapur mundësinë që ky festival të bëhet tradicional, duke thënë se është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga ana e bashkëkombësve të cilët jetojnë në Zvicër. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.