Bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Tiranë

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), për monitorimin angazhimeve dhe detyrave nga ana e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O’Reilly (Irlandë, EPP/CD) do të jenë në Tiranë, në një vizitë triditore, në datat 28-30 tetor.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh sot se “sipas axhendës diskutimet do të përqendrohen kryesisht në krizën politike, reformën në drejtësi, zgjedhjet lokale, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medies”.

“Nuk është hera e parë që Hunko dhe O’Reilly vizitojnë vendin tonë. Më herët, gjatë takimeve të zhvilluara zyrtarët kanë përgëzuar reformat e ndërmarra si një investim për avancimin në integrimin tonë europian, rrugë e cila është mbështetur mjaft prej tyre”, tha ai.

Ashtu si edhe në vizitën e kaluar, bashkëraportuesit Hunko dhe O’Reilly do të takohen me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe me drejtues të partive politike, autoritetet gjyqësore, përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe shoqërinë civile. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.