Akuzat e Haradinajt/ Rama: T’i provojë para gjykatës

TIRANË, 24 tetor /ATSH A.ALLA/ – “Kryeministri në ikje i Kosovës gënjeu në mënyrën më të paskrupull pasi jemi kthyer nga Berlini me demek që unë i bëra presion për të hequr taksën me Serbinë. Ndërkohë që në asnjë sekondë unë nuk i kam thënë hiqe taksën. Unë nuk i kam bërë presion por i kam thënë se ajo që propozonte Emanuel Macron vjen një herë jo dy herë”.

Kryeministri Edi Rama në një studio televizive tha se Haradinaj “që bën heroin që luftoi kundër gjithë botës dhe iu dorëzua popullit të vet në fakt kishte mundësinë t’i jepte popullit të vet liberalizimin e vizave dhe sot që flasim Kosova do kishte marrë liberalizimin e vizave”.

“Emanuel Macron kur ishim në Berlin në sy tim dhe të kancelares, të presidentit të Serbisë e të Kosovës i ka thënë shprehimisht: Ramush më jep katër muaj që do futem unë bashkë me Angelën në procesin e dialogut t’i pezulloje taksën. Nuk i ka thënë askush hiqe taksën. Pezulloje taksën, Serbia të pezullojë fushatën e mosnjohjeve dhe nëse pas katër muajsh asgjë nuk do të ndodhë unë do heq veton për vizat dhe Kosova do marrë liberalizimin e vizave. Unë I thash merre se nuk vjen më dhe në vend të mbante kokëfortësisht atë pozicion duke mos bërë një lëvizje taktike politike, qëndroi kokëfortësisht dhe me demek iu dorëzua popullit të Kosovës. Pra, nuk ju dorëzua popullit të Kosovës por e mbajti popullin e Kosovës peng të një kokëfortësie dhe u detyrova të them që gënjeu”, tha Rama.

Në lidhje me një akuzë që del dhe i thotë popullit që do ndaheshin 10 miliardë në rast të shkëmbimit të territoreve, sipas Ramës, ka vetëm një mënyrë. “Unë kam iniciuar nuk e di sa procese gjyqësore. Kam fituar dy nuk i bëj publike, do t’i mbledh të gjitha e do ti kthej në një dhuratë shumë spektakolare për lirinë e fjalës, për edukatën dhe për artikulim korrekt të gjuhës shqipe për këtë do ta bëj”, tha Rama.

“Kështu që këtë kryeministrin në ikje të Kosovës do ta çoj në gjyq në Kosovë dhe ky duhet të vijë të provojë para gjykatës si do ndaheshin 10 miliardë midis meje dhe presidentit të Kosovës”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.