Zv/ministrja e Jashtme italiane: Shqipëria reforma të guximshme, gabim historik moshapja e negociatave

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ “Italia është në anën e Shqipërisë, e cila ka ndërmarrë reforma të guximshme të brendshme”, deklaroi zëvendësministrja për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Italisë, Marina Sereni.

Ajo zhvilloi një takim me zv/ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, ku theksoi se “Italia është në anën e Shqipërisë, e cila ka ndërmarrë reforma të guximshme të brendshme, por edhe me qëllimin për të vazhduar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”.

Sereni, shprehu zhgënjimin e Italisë për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë.

“Një gabim historik”, theksoi Sereni, duke siguruar se “ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetjen tonë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë”.

Për të vijuar ecurinë e reformave, zv/ministrja italiane sinjalizoi nevojën që të gjitha partitë politike në vend të përpiqen të rivendosin dialogun konstruktiv dhe pjesëmarrës, duke kapërcyer fazën e tanishme të polarizimit politik.

Zëvendësministrja për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Italisë, Marina Sereni ndodhet në Tiranë ku po merr pjesë në Konferencën Mesdhetare të OSBE-së.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.