VIDEO/Projekt homazh kushtuar At Gjergj Fishtës, atit provokator dhe birit patriot të kulturës shqiptare

TIRANË, 24 tetor/ATSH/- “Në gjurmët fishtiane” është projekti i Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë shqiptare që do të na njohë me jetën dhe veprimtarinë e At Gjergj Fishtës, përmes një rrugëtimi fizik e shpirtëror.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me prezantimin e këtij projekti për atdhetarin, poetin, publicistin dhe klerikun At Gjergj Fishta.

“Mirëmëngjes dhe me itinerarin kushtuar Gjergj Fishtës, ku nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, do të jetësohen projektet homazh të atit provokator dhe birit patriot të kulturës shqiptare, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Ky projekt do të shtrihet nga kulla ku lindi, tek shkollat ku mësoi, në kishat ku shërbeu, në kuvendin ku dha frymë. Të gjitha këto ndërtesa apo vende që lidhen me jetën e Fishtës do të restaurohen, do të pajisen me simbolika, sinjalistikë, etj, që të mund të jenë të vizitueshme dhe të kthehet në një rrugë pelegrinësh, për tu njohur dhe për të reflektuar.

Konkretisht projekti do të përfshijë ndërtimin e një memoriali ku lindi At Gjergj Fishta, sinjalistika dhe rikualifikimi i sheshit, restaurimi i banesës, monument kulture, ku ai ka lindur dhe vendosja e tabelave informuese.

Po ashtu pjesë e projektit është edhe shpallja monument kulture i kategorisë së dytë kompleksi i Kishës Françeskane, Kuvendit dhe Shkollës, restaurimi dhe pasurimi i bibliotekës së Kuvendit, krijimi i një këndi të dedikuar për Fishtën brenda Kuvendit në Troshan, Lezhë, vendosja e sinjalistikë informuese bashkëkohore dhe një pllakë jashtë dritares në kishën e Zojës Nunciatë, etj.

At Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin E popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.