Reforma Zgjedhore/ Burg për ata që gënjejnë në formularin e dekriminalizimit

TIRANË, 24 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “ka propozuar që me Reformën Zgjedhore të bëhen dhe dy ndryshime, që të marrë fund historia e gënjeshtrës me formularët e dekriminalizimit”.

“Përgjegjësia ime nuk është që të garantoj se në familjen tonë politike nuk ka asnjë gënjeshtar. Përgjegjësia është individuale në raport me ligjin, por duke qenë se gënjeshtrat kur mbushin formularin e dekriminalizimit i japin kosto reale një procesi të tërë njerëzish që votojnë, ne kemi zgjedhur dy ndërhyrje taksative”, tha Rama.

Ai theksoi se “së pari do të vendoset që kush kapet në gënjeshtër në formularin e dekriminalizimit do të shkoj në burg me një numër fiks.

Së dyti, Rama tha se “asnjë parti politike nuk e ka mundësinë të bëjë një verifikim”. “Unë isha i pari që futa dëshminë e penalitetit dhe m’u kthye mua e gjitha sikur unë i solla këtu”, tha Rama.

Ai shtoi se ndërhyrja e dytë është që të mos regjistrohen më kandidaturat siç regjistrohen 1 ditë para afatit, por të gjitha partitë t’i çojnë kandidaturat 45 ditë para”. “Në këto 45 ditë çdo kandidaturë do të verifikohet nga prokuroria dhe Policia”, tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.