“Qyteti nëntokësor në Kukës”, bashkia projekt për kthimin e tij në muze për vizitorët

TIRANË, 24 tetor/ATSH/- Bashkia e Kukësit do të kthejë vendstrehimin e ndërtuar dekada më parë nga regjimi monist, për të strehuar aty më shumë se 30 mijë banorë, në një muze për të gjithë vizitorët vendas e të huaj.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili vizitoi sot ambientet nëntokësore të këtij qyteti.

“Bashkia Kukës ka fituar një projekt për rikonstruksionin dhe kthimin e këtij tuneli në një muze nga një shoqatë italiane me një fond prej 2.7 milionë euro, tani presim të nënshkruajmë kontratën për projektin . Italianët në muajt në vazhdim do të vijnë në Shqipëri për të vizituar “Qytetin Nëntokësor” dhe për ta kthyer këtë qytet, që në fakt është i rrallë në Shqipëri në një qytet muzeal”-, theksoi Gjici.

Kryebashkiaku Gjici tha se “besoj që do jetë një gjë shumë e mirë për të ardhuarat e bashkisë dhe kemi parë që të huajt i vlerësojnë shumë këto projekte. Do marrim shumë pamje dhe informacion të këtij qyteti që kur të shkojmë në Itali në takimin zyrtar me shoqatën t’ju paraqesim të gjitha informacionet që edhe ata të përgatisin projektin zbatues dhe besoj nga muaji shkurt apo mars do të fillojnë investimet”.

“Ky aset i rëndësishëm pak njihet publikisht. Është punuar dhe mbajtur nën monitorim të rreptë gjatë ndërtimit. Këtu mund të jetë vërtetë një muze madhështor”, tha Gjici.

Në kthinën e një lokali në Kukës ndodhen një palë shkallë. Në pamje duken pa funksion dhe ashtu të harruara. Askush nuk e di se aty është njëra prej pesë hyrjeve më të rëndësishme të qytetit nëntokësor.

Të habit fakti kur mëson se për Kukësin nëntokësor është punuar gati 20 vite e shpenzuar miliarda. Ndërtime të pabesueshme. Një spital për 300 shtretër, fabrika e prodhimit të bukës, hapësirat e tjera për vendkomanda e shumë zyra për administratën. Pra e përllogaritur për 20 apo 30 mijë banorë në një periudhë kohore për të paktën 4 deri gjashtë muaj.

Tunelet në trajtë labirinti lidhin çdo hapësirë e përshtatur për funksione të ndryshme. Kurse hyrja realizohej në pesë vende të ndryshme të qytetit. Një pjesë ë pallateve e ndërtuar në atë periudhë, i kanë në çdo shkallë portat e blinduara dhe tunelet hyrëse për në qytetin e nëndheshëm.

Porta ka edhe për konviktet e institucionet arsimore. Pa hezitim Kukësi është një ndër qytetet më të fortifikuara.  Ndaj nuk është habi kur pak kohë më parë mediet ndërkombëtare e renditën Shqipërinë pas SHBA dhe Zvicrës si vendi me sigurinë më të madhe për sulmet bërthamore dhe atomike, për shkak të vendstrehimeve të shumta të ndërtuara gjatë luftës së ftohtë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.