BERLIN – Çmim gjerman për sipërmarrësen keniane të teknologjisë

BERLIN, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane Angela Merkel i dorëzoi çmimin gjerman “Africa”, sipërmarrëses keniane të teknologjisë, Juliana Rotich, për punën e bërë në përmirësimin e shoqërisë përmes inovacionit të teknologjisë.

“Suksesi juaj inkurajon edhe shumë gra të tjera. Kemi nevojë për njerëz si ju, të cilët kanë guximin të sjellin risi dhe në këtë mënyrë të infektojnë të tjerët”, deklaroi Merkel.

Rotich, 42 vjeçe, ndihmoi në krijimin e softuerit ”Ushahidi” që mund të përdoret për të mbledhur të dhëna për gjithçka, duke nisur nga zgjedhjet dhe fatkeqësitë natyrore, deri te të drejtat e njeriut për reagimet emergjente, aktivizimin shoqëror dhe përgjegjësinë publike.

Rotich është gjithashtu bashkëthemeluese e kompanisë teknologjike, BRCK, që ndër të tjera, zhvilloi një pajisje me bateri, që ofron qasje në internet kur nuk ka energji elektrike.

Kjo pajisje përdoret në 150 vende të botës./ /sara/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.