Pogradec/ Miratohet plani i kujdesit social 2019-2023, mbështetje shtresave në nevojë

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Bashkia Pogradec ka miratuar planin e kujdesit social 2019-2023, ku përfshihen prioritetet e shërbimeve sociale për 3 vitet e ardhshme.

Fokusi i këtij plani është mbështetja për shtresat e familjeve në nevojë, për personat me probleme sociale dhe për fëmijët me probleme sociale dhe financiare.

Po ashtu, në fokus të këtij plani do të jenë edhe problemet e dhunës në familje dhe barazisë gjinore.

Plani i kujdesit social është bazuar në qasjen e ofrimit të një pakete shërbimesh për të gjitha kategoritë e grupeve në nevojë, si dhe në filozofinë e ndërtimit të partneritetit midis aktorëve të ndryshëm, si institucionet e qeverisjes vendore dhe rajonale, organizatat ndërkombëtare, kombëtare dhe ato lokale, si dhe biznesin vendor si një mbështetës potencial në fuqizimin e shërbimeve sociale.

Plani është hartuar nga Drejtoria e Shërbimit Social, bashkia Pogradec në konsultim me përfaqësues të institucioneve vendore dhe shoqërisë civile.

Ai është hartuar me mbështetjen teknike të Fondacionit “Ndihmë për Fëmijët” në kuadër të Programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush të Mos Mbetet Pas”, që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nën mbikëqyrjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.