Miratohen shpronësimet për projektin “Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Fier”

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Qeveria ka miratuar sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurisë së paluajtshme pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Fier”.

Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi që: Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (O.S.T.) sh.a.. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, në shumën e përgjithshme 12 850 972 lekë.

Sipas këtij vendimi, vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 12 850 972 lekë, do të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (O.S.T.) sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare”. Pronarët e pasurive të paluajtshme, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim në zyrat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (O.S.T.) sh.a.

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të O.S.T., sh.a.-së. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Fier të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale”, citon ky vendim. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.