Miratohen kriteret, procedurat e shpalljes dhe të administrimit të “Kurorës së Gjelbër”

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave, miratoi sot kriteret dhe procedurat për  shpalljen e kurorës së gjelbër dhe përcaktimin e rregullave e të përgjegjësive në lidhje me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e saj.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, kurora e gjelbër përbëhet nga territore ose zona relativisht të vogla në zonat periferike urbane, që përfshijnë pjesë toke, si sipërfaqe pyjore apo tokë me bimësi pyjore, pemëtore, ullishte, rezervuarë apo trupa të tjerë ujorë, si pjesë e sipërfaqeve të mësipërme, të destinuara për çlodhjen, argëtimin, aktivitetet ndërgjegjësuese dhe edukuese për publikun, turistët, apo individë të ndryshëm.

Territori që përbën kurorën e gjelbër është pronë e bashkisë dhe pjesë e planit të përgjithshëm vendor të saj.

Ndër kriteret që përcaktojnë shpalljen e kurorës së gjelbër janë: Sipërfaqet që nuk kalojnë 20% të sipërfaqes së gjelbër të bashkisë; Nuk janë të përfshira në rrjetin ekzistues kombëtar të zonave të mbrojtura mjedisore; Kanë zhvillim të konsideruar pyjor, pemëtar apo të ullishtave, që plotëson masën e gjelbër të qyteteve; Janë të populluara me lloje të florës dhe faunës, kryesisht të karakterit lokal; Sigurojnë ruajtjen dhe konservimin e mjedisit natyror e të vlerave të biodiversitetit; Janë, kryesisht, zona natyrore, të pyllëzuara ose të kultivuara, ku mund të kryhen veprimtari të ndryshme rekreative; Nxisin ruajtjen e mjedisit, të peizazhit dhe mirëmbajtjen e integritetit ekologjik; Ofrojnë përfitime në përtëritjen e shëndetit të njeriut dhe ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës urbane;
Ofrojnë mundësi çlodhjeje për komunitetin, për veprimtari shoqërore, tradicionale, edukative, argëtuese, sportive, kulturore, turistike, zbavitjeje familjare, marrjen e ajrit të pastër, shëtitjen në natyrë.

Grupet e punës paraqesin prioritet përkatëse, specifike dhe veçanta të këtyre zonave për tu vlerësuar si të tilla “kurora të gjelbra”.

Ndërsa rregullat për administrimin dhe ruajtjen e kurorës së gjelbërt, vendimi citon se, AKZM-ja dhe drejtoria rajonale e zonave të mbrojtura, si organi lokal përgjegjës për zonat e mbrojtura, bashkëpunojnë me bashkinë për vendimmarrjet që lidhen me kurorën e gjelbër, ndërsa administrimi, mbrojtja dhe ruajtja e kurorës kryhen nga njësia përgjegjëse e mjedisit pranë bashkisë, në vijim njësia përgjegjëse.

Njësia përgjegjëse zbaton planin e menaxhimit të kurorës së gjelbër dhe zbaton masat, si më vijon:a) Përcakton vendet e vendosjes në terren të shenjave kufizuese, për të bërë shënimin e kufirit të kurorës së gjelbër; b) Përcakton formën e sinjalistikës së kurorës dhe vendet e vendosjes së tabelave, shenjave treguese e të shtigjeve të kalimit për vizitorët;
c) Bën planifikimet e nevojshme lidhur me: i. infrastrukturën e nevojshme në shërbim të vizitorëve të kurorës së gjelbër, si stola, belvedere, çezma dhe shtigje të ndryshme;
ii. infrastrukturën për ngritjen e strukturave të shërbimeve shëndetësore e të nyjave sanitare dhe atyre të shërbimeve të tjera për vizitorët; iii. zonat e veçanta për argëtim dhe veprimtari sportive; iv. zonat e kufizuara për parkimin e mjeteve të ndryshme;
v. masat për rigjallërimin e pyjeve, të ripyllëzimit me lloje vendase dhe dekorative, në përputhje me funksionet e kurorës së gjelbër. ç) Ndalon kryerjen e ndërhyrjeve dhe të veprimtarive në kurorë, të cilat nuk janë në përputhje me parashikimet e planit të menaxhimit; d) Merr masat e nevojshme për pezullimin apo kufizimin e të gjitha veprimtarive që cenojnë qëllimin dhe objektivat e menaxhimit; dh) Organizon kontrolle që evidentojnë gjendjen reale të kurorës gjelbër; e) Bashkëpunon dhe vë në dijeni strukturat përgjegjëse për inspektimin vendor, kur gjatë veprimtarisë së saj konstaton mosrespektim të kërkesave ligjore; ë) Mban dhe plotëson regjistrin/skedarin e kurorës së gjelbër;
f) Dokumenton veprimtaritë, investimet dhe kërkimet shkencore të kryera; g) Organizon, në bashkëpunim me strukturat të tjera, veprimtari ndërgjegjësuese për të bërë të njohura vlerat e kurorës gjelbër; gj) Bashkërendon veprimtaritë me palët e treta, si shoqatat mjedisore, biznesin, vizitorët, kërkuesit shkencorë si dhe çdo palë tjetër të interesuar;
h) Monitoron, në bashkëpunim me institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore, edhe objektet kulturore, historike, arkitektonike dhe arkeologjike, që ndodhen brenda kurorës gjelbër.

Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.