FOTO/ Moratoriumi i gjuetisë, paradë e “banorëve të pyllit” në Parkun Kombëtar Prespë

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Javën e kaluar ekipi i PPNEA (Mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit natyror në Shqipëri) përmbushi kontrollin e parë të kamerave kurth të vendosura për këtë sezon monitorimi në Parkun Kombëtar Prespë, ku e gjithë sipërfaqja gjeografike është mbuluar duke u bazuar në shtigjet më të përshtatshme për kalimin e gjitarëve të mëdhenj.

Përshkimi i këtyre shtigjeve për këtë kontroll nga dy grupet e PPNEA në peizazhin mahnitës të Prespës pati rezultatin që pritej. Mbi 30 foto gjitarësh u fotografuan me lloje si ariu i murrmë, macja e egër, derri i egër, kunadhja, dhelpra, ujku etj.

“Zonat e mbrojtura, habitate të qeta dhe të sigurta ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi! Mbi 30 foto gjitarësh mes të cilëve ariu i murrmë, macja e egër, derri i egër, kunadhja, dhelpra, ujku etj, janë fiksuar nga kamerat kurth në Parkun Kombëtar të Prespës, të vendosura nga specialistët e PPNEA-s me asistencën e stafit të zonave të mbrojtura”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Moratoriumi i gjuetisë, gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura po dëshmojnë çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë. /a.a/ /a.g/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.