Vogel: Njohja zyrtare e Kosovës, qëllimi final i BE-së

PRISHTINË, 22 tetor/ATSH/ Marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Europian gjatë viteve të ekzistencës si shtet i pavarur, tregojnë se në fakt procesi drejt integrimit ka komponentë politikë shumë më të fuqishëm sesa ato teknikë, e që rezultojnë nga mosnjohja e pesë vendeve anëtare të BE-së.

Anëtari i Këshillit për Politikën e Demokratizimit dhe eksperti i politikës së jashtme të BE-së, Toby Vogel thotë se njohja zyrtare e Kosovës ka qenë gjithmonë qëllimi përfundimtar, por publikisht i pashprehur i Bashkimit Europian në dialogun Beograd-Prishtinë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë kërkon njohje të plotë”, u shpreh Vogel për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, duke vlerësuar lajmin se BE ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe mund të kërkojë njohje nga Beogradi, të cilin i dërguari amerikan ia përcolli presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Vogel më tej sqaron se çdo rezultat i dialogut Beograd-Prishtinë që nënkupton më pak se njohje, do të dërgonte një sinjal se pavarësia e Kosovës është “e kushtëzuar dhe e paplotë”.

“Kjo do t’i inkurajonte shtetet anëtare të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të vazhdojnë një qasje të tillë dhe të bllokojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe organizatave ndërkombëtare”, tha Vogel.

Ai shton se nuk beson se politika e BE-së tani po ndryshon dhe se shumë njohje po bëhen parakusht për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, pasi BE ende nuk ka një ministër të ri të jashtëm për t’u marrë me vendime të tilla.

“Për më tepër, një parakusht i tillë do të ‘vriste’ negociatat përpara se ato të rifillonin, kështu që nuk ka kuptim”, tha Vogel.

Arsyeja e tretë, pse eksperti i politikës së jashtme të BE-së, Toby Vogel mendon se BE nuk e kushtëzoi demarkacionin e Beogradit dhe Prishtinës me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës, e sheh në faktin se pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk do të pajtoheshin me një kushtëzim të tillë. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.