Tetori i Librit ndalet në shkollën e mesme “Skënderbeu” të qytetit të Krujës

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Tetori i Librit, nisma e Ministrisë së Kulturës po përhapet me shpejtësi në çdo qytet, ku ata që p[oi bashkohen më shumë janë nxënësit dhe studentët.

Këtë herë në Krujë janë bashkuar dy nisma në një, ajo e leximit si dhe projekti Shkolla Qendër Komunitare. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është ndalur në shkollën e mesme “Skënderbeu” të qytetit ku ka ndarë me nxënësit disa pasazhe leximesh.

“Tetori i Librit na çoi sot në Krujë, ku iu bashkuam projektit të Bashkisë së qytetit: “Shkolla-Qendër Komunitare”. Me nxënësit e shkollës së mesme “Skënderbeu” kaluam një paradite shumë të këndshme. U ndjeva e privilegjuar të ndaja me ta raportin tim me librin dhe të dëgjoja prej tyre interpretime poezish dhe krijime të atyre vetë. Përballë të rinjve të tillë ndihemi edhe më shumë përgjegjës, që të ushqejmë dëshirën e tyre për leximin,” shprehet Margariti.

Sipas saj, nxënësit dhe sidomos talentet e reja meritojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga autoritetet dhe institucionet.

“Së bashku me deputetët e zonës Eglantina Gjermeni dhe Rrahman Rraja, premtuam se do të bëjmë më shumë për mbështetjen e talenteve të reja,” shprehet më tej Margariti. /a.sh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.