Shiroka, një qendër turistike në shërbim të komunitetit

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Shiroka, në perëndim të qytetit të Shkodrës, pritet të kthehet në një qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Rikonstruksioni i sheshit të Shirokës është një investim i qeverisë shqiptare që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pritet të integrohet me projektin e plotë për “rikualifikimin e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës”.

FSHZH bën të ditur se aktualisht janë realizuar 40% e punimeve, ndërsa po vijohet me shtrimin e pllakave dekorative (mozaikut) në sheshin kryesor.

Ky projekt përfshin gjithashtu restaurimin e 2000 m2 fasadave, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik.

Sipas të dhënave nga FSHZH, do të vijojnë punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndriçimin publik, gjelbërimin, sinjalistikën, si dhe mobilimin urban të zonës.

Hapësira e trajtuar për rikonstruksionin e sheshit është 20.000 m2 në total dhe paralelisht me të po punohet, për strukturën e platformës së liqenit dhe zonën e piknikut pranë saj. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.