Qytetarit nga Kamza i zgjidhet problemi i mosrakordimit në faturën e energjisë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Qytetarit Qamil Algjoni, banues në Kamzë iu zgjidh çështja e mosrakordimit në faturën e energjisë elektrike, pas ankesës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Algjoni, ankohej për një problem i cili mbartej që prej vitit 2011. Sipas tij, në faturimin e energjisë elektrike kishte një mosrakordimin të datuar që nga vitit 2011 e në vazhdim, midis gjendjes së hedhur në sistemin e faturimit me gjendjen reale të matësit.

Strukturat përkatëse të Drejtorisë Rajonale Tiranë, morën masat e nevojshme për verifikimin dhe trajtimin e rastit duke sistemuar faturimet në sasinë 10970 kwh dhe vlerë 111.286 lekë.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, Algjoni tha se “nuk e besoja, por e bëra provë. I jam drejtuar disa herë kujdesit ndaj klientit, më ka ardhur shpirti në fund duke u marrë me një gjë që mund të zgjidhet shumë shpejt në zyrat e shtetit. Iu drejtova platformës për 8 ditë më ka ardhur përgjigja. Në ditën e 11 më kanë ardhur përfaqësuesit e OSHEE dhe bënë verifikimin, u zgjidh problemi ishin rreth 11 mijë kwh që mbarteshin nga viti 2011”.

“Kam qenë mosbesues, por problemi im u zgjidh shumë shpejt”, tha Algjoni.

Kryeministri Edi Rama theksoi se “në fakt ky është edhe qëllimi tjetër i platformës përveç qëllimit të zgjidhë problemet që mbarten padrejtësisht, të ushtrojë përmes gjithë këtyre eksperiencave, presionin mbi të gjithë zyrtarët e administratës publike ata që janë në zyrat e shërbimeve për qytetarët, duke bërë të qartë që në çdo rast që qytetari që ka të drejtë i drejtohet platformës fiton qytetari dhe nga ana tjetër zyrtari që bëhet pengesë, bëhet objekt i një hetimi administrativ dhe i një mase ndëshkimore”.

“Patjetër po të shohim nga momenti që e kemi nisur këtë proces shumëçka ka ndryshuar, por po të shohim se ku duam të mbërrijmë ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe në këtë rrugë të gjatë edhe dëshmitë tuaja janë një kontribut i vyer, se tjetër është kur e them unë, apo ne që përfaqësojmë shtetin e tjetër është kur njerëzit e dëgjojnë drejt nga bashkëqytetarët”, – tha Rama./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.