Negociatat/ Balla: Në mungesë të vendimmarrjes së Këshillit Europian, vendimi i Bundestagut udhërrëfyes

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës në Kuvend, i ftuar në një studio televizive, diskutoi për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Unë bëj pjesë tek ata që funksioni dhe detyra më ka bërë që në shumë vite, të ndjek vendimet e Këshillit Europian e për rastin e fundit, për çështjen në fjalë, ka pasur vetëm fjali, Këshilli Europian nuk mori vendim për këtë çështje, për shkak të një vetoje e cila padyshim ka arsyet e veta, besoj që në ditët në vijim edhe Franca do ketë mundësi t’i thotë arsyet e mirëfillta por duhet të kuptojmë që kurrë më parë, në një rast të ngjashëm, nuk ka pasur një reagim kaq të madh ndërkombëtar. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka 100% në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian politikën e saj të jashtme”, – u shpreh Taulant Balla.

Sipas Ballës, “Makroni është president i Francës dhe flet çfarë do të dëgjojnë veshët e francezëve. Mjafton të themi që azilkërkuesit shqiptarë janë në vlerën e 0.5% të gjithë azilkërkuesve dhe kjo e mbaron këtë histori, pra nuk është kjo arsyeja. Padyshim që destinacioni i parë i shqiptarëve nuk është Franca, është Gjermania”.

I pyetur rreth mbështetjes së kancelares Merkel, Balla thotë se, “ne për fat të mirë kemi një udhërrëfyes, në mungesë të një vendimi të Këshillit, kemi një vendim të Bundestagut gjerman. Pra edhe nëse hapeshin negociatat, padyshim që vendimi i Bundestagut gjerman është udhërrëfyesi i rrugës”.

Lidhur me Reformën Zgjedhore, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës tha se “Reforma Zgjedhore është një detyrë e rëndësishme që Shqipëria duhet të përmbushë në dobi të procesit të integrimit europian, të marrjes dhe të fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Reformë Zgjedhore quhet gjithë adresimi i rekomandimeve të ODIHR-it. Rruga europiane e Shqipërisë lidhet me kodin zgjedhor për mënyrën se si ndahen mandatet në kuvend, në çfarë sistemi, e këto me radhë kjo është një çështje e marrëdhënies mes partive politike”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.