Mblidhet nënkomisioni parlamentar, diskutohet për fuqizimin e qeverisjes vendore

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Nënkomisioni “Për qeverisjen vendore” u mblodh sot në ambientet e Kuvendit.

Në drejtimin e kryetarit, Bashkim Fino, nënkomisioni i qeverisjes vendore miratoi kalendarin e punimeve për periudhën 20 tetor – 15 nëntor 2019.

Po ashtu anëtarët e këtij nënkomisioni u njohën me kërkesat drejtuar organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për bashkëpunim në projekte e konferenca të përbashkëta për fuqizimin strukturave të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Anëtarët ngritën pyetje, zhvilluan diskutime dhe dhanë sugjerime lidhur me veprimtarinë në vijim të nënkomisionit.

Nënkomisioni “Për Qeverisjen Vendore” është në përbërje të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Objekti dhe fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni është organizimi dhe funksionimi i pushtetit vendor. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.