Agjencia Telegrafike Shqiptare

Krijohet taskforcë e përbashkët policore me Maqedoninë e Veriut

PRISHTINË, 22 tetor/ATSH/ Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar protokollin mbi themelimin e Taskforcës së Përbashkët, me qëllim eliminimin e kërcënimeve të sigurisë. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim policor mes qeverive të dy vendeve fqinje.

Nënshkrimi i këtij protokolli u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevki. Me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij protokolli në mes të dy vendeve është vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit, i cili duhet të zgjerohet më tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, u shpreh Mustafa.

Taskforca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve ndërkufitare. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version