Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për kryeprokurorin i Kavajës

TIRANË, 22 tetor/ATSH – Arbi Fortuzi/ Komisioneri Publik ka ankimuar pasditen e së martës vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë kryeprokurorin e Kavajës, Artan Madani.

Në njoftimin e publikuar nga Komisioneri Publik, sqarohet ky organ ka dorëzuar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 173, datë 1.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Artan Madani, magjistrat/prokuror, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë”, njofton zyra e shtypit e Komisionerit Publik.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Artan Madani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”.

“Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Artan Madani”, përfundon njoftimi i Komisionerit Publik. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.