FOTO/ U shkatërrua nga tërmeti, vijon puna për rindërtimin e shtëpisë së familjes Matera në Ndroq


TIRANË, 22 tetor/ATSH/- Faza e emergjencës që shkaktoi tërmeti i shtatorit ia ka lanë vendin tani rimëkëmbjes dhe rindërtimin të të gjitha banesave të dëmtuara në Tiranë.

Pasi janë bërë matjet dhe arkitektët kanë realizuar projektet, puna për rindërtimin e shtëpive po vijon intensivisht në terren. Një prej tyre është edhe shtëpia e familjes prej 7 anëtarësh të Ramazan Materës në lagjen e re në Ndroq, e cila pësoi dëmtime të parikuperueshme nga lëkundjet e tërmetit që goditi edhe Tiranën në 21 shtator.

Nënkryetarja Anisa Ruseti ka postuar disa foto teksa skuadra e World Bank Albania së bashku me skuadrën e Bashkisë së Tiranës, ndihmuan me disa orë punë vullnetare duke i ardhur në ndihmë kompanisë së ndërtimit që ka marrë përsipër rindërtimin e shtëpisë së familjes Ramazan Materës, e cila u dëmtua gjatë lëkundjeve të tërmetit të 21 shtatorit.

“Këtë vit skuadra e World Bank Albania dhe ajo e bashkisë së Tiranës zgjodhën që në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë #EndPovertyDay të ndihmonin me disa orë punë vullnetare në rindërtimin e shtëpisë së familjes Matera në Ndroq e cila u prek nga tërmeti”, shprehet nënkryetarja Ruseti.

Puna për rindërtimin e të gjithë banesave të prekura nga tërmeti po vijon çdo ditë në mënyrë që Viti i Ri t’i gjejë familjarët në shtëpitë e tyre dhe me kushtet e duhura./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.