Balla në spitalin rajonal të Elbasanit: Ulim radhët e gjata, shërbimet më pranë qytetarëve

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit kërkoi sot nga Ministria e Shëndetësisë që të financojë projektin e gatshëm tashmë, të rikonstruksionit të godinës së pediatrisë në Elbasan, për t’i dhënë fund të gjitha rikonstruksioneve në këtë qendër.

Balla dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte sot në spitalin rajonal të Elbasanit, ku pa nga afër vijueshmërinë e ofrimit të lenteve të syrit falas për të moshuarit.

Shërbimi, sipas Ballës, “ul shpenzimet për kategorinë e pensionistëve ndërsa deri tani kanë përfituar 1687 pacientë, që kanë kryer ndërhyrjen dhe kanë përfituar lentet falas në spitalet e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës”.

Balla tha se “synimi i qeverisë ka qenë shndërrimi i spitaleve rajonale në qendra të ngjashme me qendrën spitalore universitare, të cilat jo vetëm e ofrojnë shërbimin shumë pranë banorëve, por padyshim ulin dhe radhët e gjata të pritjes që ishin në spitalin universitar”.

“Pas 2013 kur nisëm shndërrimin total të spitalit të Elbasanit, të gjithë e mbajnë mend si ka qenë gjendja. Nuk e mendonte kush në 2013 të kishte dializë në Elbasan, sot ka një shërbim dialize të shkëlqyer, i cili ofron shërbim, jo vetëm për banorët e Elbasanit, por për të gjithë qarkun”, tha ai.

Ndërkohë, Balla theksoi se “nuk imagjinohej më parë, që shteti të subvenciononte tërësisht shërbimin e lenteve për të moshuarit”.

“Është 70 mijë lekë për një të moshuar, pa përfshirë shërbimin dhe tek private kushtonte 100 mijë lekë. Ky është një shërbim që sot mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Viti i parë është 2019 me një fond prej 500 mijë eurosh për okulistikën. Dhe nëse e krahasojmë me buxhetet e para 2013, nuk ka të krahasuar. Nuk jepej nga qeveritë e kaluara buxhet për okulistikën, fare”, tha ai./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.