“Arena Kombëtare” në pritje të ndeshjes inauguruese, investimi më i madh sportiv në Shqipëri


TIRANË, 22 tetor/ATSH/ “Arena Kombëtare” është gati, në pritje të ndeshjes inauguruese Shqipëri-Francë, që do të zhvillohet më 17 nëntor 2019.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga stadiumi i ri kombëtar, me një kapacitet prej 22.000 spektatorësh, që është padyshim investimi më i madh sportiv i realizuar në Shqipëri.

Impianti i ri modern është investimi më i madh i kryer në futbollin shqiptar dhe tashmë futbolli shqiptar ka një shtëpi të re me të cilën do të përfaqësohet denjësisht në kompeticionet e rëndësishme sportive.

Stadiumi i ri është projektuar si një teatër romak ose grek me tri pjesë për publikun dhe një skenë që është tribuna VIP.

Elementi historik është ai që mbizotëron. Gjithë stadiumi ka elementin e kolonave që simbolizon stilin e viteve ’30, element ky i lidhur ngushtë me periudhën historike. Janë mbi 3 mijë kolona që rrethojnë Arenën Kombëtare mbi të cilat janë gdhendur motive të veshjeve shqiptare.

Stadiumi i ri projektuar për 22 mijë vende është në dorën e një prej arkitektëve më në zë të kohës, njëkohësisht profesor në Fakultetin e Arkitekturës të Xhenoas, Marco Casamonti.

Së bashku me ekipin e tij ai ka bërë një punë të rëndësishme për katalogimin e pjesëve historike, pastrimin dhe rivendosjen e tyre, pjesë të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme e Gerardio Bosio.

Zanafilla e stadiumit kombëtar ka nisur në gusht të vitit 1939, projektuar me 15 mijë vende dhe ka përfunduar në vitin 1946 me emërtimin “Qemal Stafa”, emër të cilin e mbajti deri qershor të vitit 2016. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.