Topi i Artë 2019: Shpallen sot emrat e kandidatëve për meshkuj e femra

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Cili do të jetë pasardhësi i Luka Modriç, fituesit të trofeut Topi i Artë 2018?

Këtë të hënë revista e specializuar “France Football” do të njoftojë emrat e 30 finalistëve të Topit të Artë 2019. Në mesin e favoritëve është padyshim Lionel Messi, fituesi i Fifa The Best, i cili në rast fitoreje, do të shënonte triumfin e gjashtë personal, që do t’i lejonte të shkëputej nga rivali i përjetshëm Cristiano Ronaldo. Në mesin e atyre që shpresojnë të vendosin Pleshtin nën presion, është edhe Virgil van Dijk, mbrojtësi qendror i kampionëve europianë të “Liverpool-it”.

Lista është hartuar nga një juri ndërkombëtare me 180 gazetarë të specializuar, me vetëm një përfaqësues për secilin vend, i cili ka për detyrë të votojë 5 lojtarë në rend zbritës të meritës. Pesë lojtarët e përmendur u caktohen përkatësisht 6 pikë, 4, 3, 2 dhe 1.

Kriteret për dhënien e çmimit përshkruhen në nenin 10 të rregullores përkatëse:

– performanca individuale dhe ekipore gjatë vitit në shqyrtim;

– vlera e lojtarit (talenti dhe loja e ndershme);

– karriera;

– personaliteti, karizma.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, janë lojtarët që kanë fituar më shumë edicione të Topit të Artë, me nga 5 trofe secili.

CR7 ishte fituesi më i ri i çmimit prestigjioz, në moshën 21 vjeç e 3 muaj.

Stanley Matthews ishte fituesi më i vjetër i këtij çmimi, në moshën 41 vjeç dhe 11 muaj.

Messi mban rekordin për numrin më të madh të fitoreve radhazi (4), nga 2009 deri në 2012.

Ndërsa për Topin e Artë 2019 për femra mendohet që të nominuarat kryesore do të jenë: Amandine Henry, Alex Morgan dhe Sam Kerr.

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të organizohet në Théâtre du Châtelet në Paris, më 2 dhjetor 2019.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.