Shqipëria, garanci të plota në mbrojtjen e privatësisë

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ “Shqipëria ka garanci të plota në mbrojtjen e privatësisë”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, e cila organizohet nga zyra e Komisionerit të Shqipërisë, në Pallatin e Kongreseve.

Konferenca Ndërkombëtare është forumi më i lartë i bashkëpunimit të Autoriteteve botërore mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave personale.

“Fakti që Konferenca juaj zhvillohet në Shqipëri është konfirmim i garancive që ofron dhe zbaton vendi ynë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së qytetarëve. Shqipëria ka një legjislacion bashkëkohor për mbrojtjen e të drejtve të njeriut, por ç’është më e rëndësishmja, ka vullnet politik dhe institucional për respektimin, zbatimin dhe garantimin e tyre”, – tha Ruçi.

Ai shtoi se, “toleranca jonë e njohur për bashkëjetesën midis komuniteteve fetare e ka zgjeruar rrezen drejt tolerancës dhe respektit për të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, liritë dhe të drejtat ekonomike, politike,sociale dhe etnike të qytetarëve”.

“Sot po përballemi me sfida të rëndësishme të zhvillimeve globale, – theksoi Ruçi, duke shtuar se, – demokratizimi i medieve dhe demokratizimi i teknologjisë, si të mira publike për qytetarët, mund të shndërrohen në të kundërtën e tyre dhe të sfidohen nga demokratizimi i dhunës”.

“Është kjo arsyeja që duhet të na nxisë të hartojmë, zbatojmë e monitorojmë politika dhe ligje që garantojnë të drejtat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si një premisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe të individualitetit të tyre. Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Komisionerin, po punojnë për harmonizimin e legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Europian, e cila ka hyrë në fuqi së fundmi”, – theksoi në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave, Bensik Dervishi u shpreh se “prezenca e më shumë se 200 përfaqësuesve të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave apo të tjerë që japin edhe ata kontributin e tyre në këtë fushë, nga të gjitha skajet e globit, përveç përgjegjësisë, më japin një kënaqësi të pamasë”.

Ai shprehu besimin që “diskutimet që do të zhvillohen dhe vendimmarrjet që priten gjatë këtij sesioni të jenë sa më të suksesshme në mënyrë që ne të mbetemi gjatë në memorien e konferencës si vendi ku u morën vendime strategjike lidhur me të”.

“Sot kemi një Autoritet të vogël të një vendi të vogël, por që në modestinë e tij ka vullnetin dhe dëshirën për të bërë më shumë se sa mundësitë. Kemi një legjislacion modern, ku Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR) dhe Konventa 108+ e Këshillit të Europës do të bëhen shumë shpejt pjesë e legjislacionit”, tha Dervishaj.

Ai deklaroi se “brenda vendit kemi arritur të ndërtojmë një sensibilizim të gjerë në bashkëpunim të ngushtë me grupet e biznesit, shoqërinë civile, botën akademike, median, autoritetet publike e të gjithë faktorët dhe aktorët e tjerë”.

Ky takim i përvitshëm u mundëson ekspertëve dhe profesionistëve të mbrojtjes së të dhënave personale, jo vetëm të shkëmbejnë ekspertizën dhe eksperiencën e tyre, por edhe të informohen në lidhje me aktualitetin në këtë fushë.

Si Konferencë me synim promovimin e të drejtave të njeriut dhe sidomos, promovimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, ajo ndikon në ndërgjegjësimin e publikut për të njohur dhe zbatuar këtë të drejtë në nivelin të unifikuar në rang botëror. Konferenca Ndërkombëtare i zhvillon punimet e saj në dy pjesë, në 21-22 tetor 2019 mbahet Sesioni i Mbyllur, ndërsa Sesioni i Hapur i zhvillon punimet më 23-24 tetor.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.