Shkolla e Integrimit Europian/ Kuvendi nis thirrjen për aplikim

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, do të organizojë në Tiranë, në datat 18-22 nëntor 2019, edicionin e katërt të Shkollës së Integrimit Europian.

Shkolla e Integrimit Europian është tashmë një traditë e konsoliduar në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla e Integrimit Europian 2019 do të ofrojë një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal dhe zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit si dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE.

Gjatë Shkollës së Integrimit Europian do të përdoret një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese me profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Shkolla e Integrimit Europian do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, institucionet e Bashkimit Europian dhe institucionet rajonale, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi të ardhmen e Bashkimit Europian si dhe sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Programi përfshin pesë module kryesore. Moduli 1: Perspektivat e pranimit në BE, sfidat dhe strategjitë e negocimit (rasti i Kroacisë dhe Malit të Zi); Moduli 2: Financimet e BE-së, zhvillimi i projektit dhe negocimi i kapitullit 22; Moduli 3: Advokatia, roli i shoqërisë civile gjatë procesit të negociatave dhe përafrimi i legjislacionit të BE-në; Moduli 4:  Zgjerimi i BE-së dhe roli i medieve në procesin e integrimit europian; Moduli 5: Integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal / Ballkani Perëndimor / Procesi i Berlinit.

Në këtë shkollë mund të aplikojnë nëpunësit e administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe ata nga vetëqeverisja vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit europian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave; Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse; Gazetarë dhe përfaqësues të medies; Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.

Pjesëmarrësit e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 28.10.2019, një CV dhe një letër motivimi ku të shprehin vizionin mbi angazhimin dhe kontributin potencial të tyre në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe miratimin e eprorit për pjesëmarrje e pandërprerë në Shkollën Europiane.

Aplikimi duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected]

Ka vetëm 35 vende në dispozicion! Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin një certifikatë pjesëmarrjeje pas përfundimit të suksesshëm të kursit pesëditor.

Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen brenda datës 10 nëntor 2019 dhe pjesëmarrja në këtë shkollë është pa pagesë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.