Pakti për Universitetin/ 20 166 studentë të Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ -20 166 studentë të Universiteteve të Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama , i cili fton studentët të aplikojnë pranë fakulteteve edhe në rrethe për t’u pajisur me kartën e studentit.

“20 166 studentë të universiteteve të Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit. Aplikoni pranë fakulteteve tuaja edhe në rrethe për t’u pajisur edhe ju me kartën e studentit”, thekson Kryeministri Rama.

Karta e Studentit u mundëson një sërë shërbimesh studentëve ku përfshihen hyrja në galeri, teatro e muze.

Karta gjithashtu është si në format plastik, ashtu edhe elektronik. Kjo bën që çdo student mund ta përdorë atë përmes celularit, pa pasur frikën se mund ta humbasë apo ta harrojë ta marrë me vete.

Ndërkohë edhe bizneset private ofrojnë ulje për studentët e pajisur me kartën e studentit. Të rinjtë që kanë Kartën e Studentit, njoftohen me e-mail ose me mesazh për të gjitha shërbimet që entet publike apo ato private ofrojnë.

Ndërkaq, të gjitha entet publike apo bizneset që i bashkëngjiten nismës për kartën e studentit, do të vendosin në mënyrë të dukshme një etiketë.

Karta e Studentit është një nga pikat e zbatuara të Paktit për Universitetin.

/gj.mima/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.