Nis restaurimi i kullës në kalanë e Prezës

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Në kalanë e Prezës kanë nisur punimet restauruese në kullën e saj, ku janë zëvendësuar shkallët e dëmtuara e janë përforcuar muret e brendshme. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përuroi punimet, së bashku me kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

“Çdo ditë e më tepër ndjejmë nevojën që monumentet tona të kulturës të marrin jetë. Një ndër to është edhe kalaja Prezës, ku shkuam sot për të përuruar punimet restauruese në kullën e saj”, theksoi Margariti.

Sipas saj, janë zëvendësuar shkallët e dëmtuara nga koha, janë bërë përforcime të mureve të brendshme e të tjera ndërhyrje, që bëjnë të mundur vizitueshmërinë e saj.

“Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku dhe komunitetin vendas shpresojmë, që shumë shpejt ta kthejmë atë në një nga destinacionet më të kërkuara turistike”, tha Margariti.

Kalaja e Prezës është  një vend ideal për aktivitete artistike e panaire. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.