KPA nuk ndryshon vendim, shkarkohet nga detyra prokurori Ramadan Troci

TIRANË, 21 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Komisioni i Pavarur i Apelimit (KPA) ka vendosur të mos ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke shkarkuar nga detyra përfundimisht prokurorin Ramadan Troci.

Ish-prokurori Troci, i cili mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme u shkarkua nga KPK më 15 nëntor të vitit 2018, pasi KPK ngriti dyshimet për pasuri të fshehura. Sipas trupës gjykuese, Genta Tafa Bungo, kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Suela Zhegu anëtare, ish-prokurori Troci rezultoi me probleme në dy nga tre kriteret e rivlerësimit që lidhen me pasurinë dhe aftësitë profesionale. Ndërkohë që Troci mori vlerësime pozitive për pastërtinë e figurës nga DSIK dhe për aftësitë profesionale nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në fjalën e tij para Komisionit gjatë seancës dëgjimore, Ramadan Troci shprehu dakordësi për procedurën e ndjekur, por kundërshtoi gjetjet që e ngarkojnë atë me përgjegjësinë e fshehjes së pasurisë. Trupa gjykuese asokohe vendosi shkarkimin e tij, vendim që mbeti i pandryshuar tashmë edhe në Komisionin e Pavarur të Apelimit.

Ramadan Troci e nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 dhe prej asaj kohe ka punuar në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014, ai u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.