DASH mbështetje AKBN-së në fushën e hidrokarbureve

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Deloitte Financial Advisory Services lancuan fazën e dytë të programit të asistencës teknike për sektorin hidrokarbur në Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Ky program i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja e Burimeve të Energjisë, ka si objektiv të përgjithshëm mbështetjen e AKBN-së nëpërmjet forcimit të kapaciteteve teknike dhe profesionale në fushën e hidrokarbureve.

Kjo fazë e projektit do të vijojë përgjatë vitit 2020 dhe do të fokusohet në përpunimin, interpretimin e të dhënave dhe analizimin e faktorëve ekonomikë të blloqeve; analizimin e të dhënave dhe aplikimin e praktikave më të mira në operacionet e kërkimit dhe prodhimit si dhe organizimin e raundeve konkurruese të licencimit për blloqet e lira.

Në takimin e zhvilluar me rastin e prezantimit të këtij programi, Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së, Adrian Bylyku falenderoi përfaqësuesin e Byrosë së Burimeve të Energjisë, Evan McGlaughlin dhe përfaqësuesin e kompanisë Deloitte, Wayne Smith, Drejtues i projektit, i pranishëm në takim, si dhe të gjithë ekspertët për asistencën mjaft të vyer që vazhdojnë t’i japin stafit të AKBN-së duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e performancës së institucionit.

Bylyku inkurajoi stafin e AKBN-së që të përfitojë maksimalisht nga kjo mundësi e jashtëzakonshme që do t’i shërbejë perspektivës së tyre profesionale, të AKBN-së, por edhe të institucioneve të Qeverisë shqiptare në tërësi. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.