FMN, mbështetje rritjes së kapaciteteve të administratës tatimore shqiptare

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Fondi Monetar Ndërkombëtar mbështet vijimin e mëtejshëm të konsolidimit fiskal si dhe konfirmon vazhdimësinë e asistencës nga ana e tij për rritjen e kapaciteteve në administratën tatimore dhe hartimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave në Shqipëri.

Kështu konfirmoi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, pas takimeve që zhvilloi në Washington DC me përfaqësues të lartë të FMN-së.

Bashkë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrja Denaj u takua me Tao Zhang, zv/Drejtor Ekzekutiv i FMN-së dhe Poul Thomsen, drejtori i FMN-së për Eoropën.

Ajo informoi mbi situatën ekonomike dhe politikat makro-ekonomike dhe fiskale që po ndjek Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Ruajtja e balancës primare pozitive, menaxhimi dhe ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe ruajtja e deficitit nën normën e 2%, mbeten objektiva të të dyja palëve për të shmangur ndikimin e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Evropë”, tha Denaj.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.