Përkujtohet ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci

PRISHTINË, 19 tetor/ATSH/ Është përkujtuar sot në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, profesori dhe rektori i Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci. Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës ka mbajtur orë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprave të rektorit Statovci, ku është përmendur angazhimi i tij i vazhdueshëm për universitetin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Prorektor Luljeta Badivuku u shpreh që edhe sot e kësaj dite, profesor Statovci mbetet shembull për të gjithë.

“Figura si rektori Statovci janë nga ato për të cilët historia ruan faqe të veçantë nderi. Të gjithë ata që e njohën, ai paraqiste figurën e një intelektuali e ishte pranë universitetit, popullit dhe studentëve, duke iu prirë ndryshimeve më të nevojshme e pozitive në vend, në kohërat më të vështira”, – tha ajo.

Profesor Avdullah Aliu, bashkëpunëtor i profesor Statovcit tha se ai u angazhua gjithmonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Profesor Statovci në mënyrë të shkëlqyeshme hyri në botën e ndërlikuar të drejtësisë, adhuronte botën shkencore. Entuziazmi i tij për punë shkencore dhe kombëtare ishin prezent tek ai deri në ditën e fundit të jetës së tij. Profesor Statovci kontribuoi edhe në afirmimin e kuadrove të reja. Ai u angazhua edhe në aktivitete që kishin për qëllim barazinë dhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, – u shpreh ai.

Edhe Presidenti Hashim Thaçi e ka kujtuar me respekt veprën e profesor Statovcit.

“Kujtimi për të është i përjetshëm”, ka shkruar Thaçi.

Profesor Ejup Statovci, i diplomuar në Fakultetin Juridik të Zagrebit, e ka drejtuar Universitetin e Prishtinës në vitet e vështira 1991-1997. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.