Hysi: Shqipëri- Maqedoni e Veriut, drejt parlamenteve me barazi gjinore

TIRANË, 19 tetor /ATSH – I. Vata/- Drejt parlamenteve me ndjeshmëri gjinore në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut është në fokus të seminarit dypalësh me pjesëmarrjen e mbi 60 deputetëve dhe personeli të parlamenteve të të dyja vendeve në Pogradec.

Nënkryetarja e Parlamentit, Vasilika Hysi bën të ditur se gjatë dy ditëve në vijim, pjesëmarrësit do të njihen me praktikat më të mira ndërkombëtare, do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe hapat e ndërmarrë për futjen e praktikave të punës me ndjeshmëri gjinore, si dhe do të diskutojnë se si ta institucionalizojnë ndjeshmërinë gjinore në parlamentet e tyre.

Hysi shton se “gjatë dy seminareve paralele, pjesëmarrësit nga Shqipëria do të përfundojnë punën për hartimin e një udhërrëfyesi për ndjeshmërinë gjinore për Kuvendin e Shqipërisë dhe integrimin e tij në Planin Strategjik të Kuvendit, i cili po hartohet me ndihmën e Prezencës së OSBE-së; ndërsa pjesëmarrësit nga Maqedonia e Veriut do të hartojnë planin e veprimit për ndjeshmërinë gjinore për dy vitet e ardhshme”.

“Seminari bashkë organizohet nga misionet e OSBE-së në Shqipëri e Shkup dhe nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), me mbështetjen e parlamenteve të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Seminari është pjesë e projektit. Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të qeverisë zvicerane”, tha ajo.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.