Unicef-Kosova/ ADA financon 500 mijë euro për projekte rinore

PRISHTINË, 18 tetor/ATSH/ Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), në vlerën e 500 mijë eurove, me qëllim implementimin e projekteve që kanë për qëllim ardhjen në ndihmë për rreth 7 mijë të rinj kosovarë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin thekson se me financimin e ADA-s, UNICEF-i do të forcojë mundësitë për adoleshentët dhe të rinjtë më të margjinalizuar për të zhvilluar dhe udhëhequr projekte, kryesisht në fushën e IT, që i adresojnë çështjet në komunitetin e tyre.

“Kjo do t’i mundësojë të rinjve të jenë agjentë të ndryshimeve shoqërore për komunitetet e tyre”, ka thënë ai.

Sipas një komunikate, theksohet se partneriteti në mes të UNICEF-it dhe ADA-s, ka për synim që së bashku të dy agjencitë të kontribuojnë në forcimin e kurrikulës të bazuar në aftësi në kuadër të sistemit arsimor, si dhe të ofrojë tri zgjidhje digjitale për institucionet publike.

Përmes këtij partneriteti synohen të trajnohen 140 mësues, 60% prej tyre vajza. Po ashtu, si rezultat i projektit 2400 adoleshentë (prej tyre 60% vajza), do të aftësohen me shkathtësi të shekullit 21. Pritet të themelohen po ashtu 4 qendra të inovacionit social në katër rajone të ndryshme në Kosovë me qëllimin e aftësimit të 2200 adoleshentëve. Po ashtu pritet të themelohen 8 nisma sociale përmes programeve si StartUp – program ky që i fuqizon të rinjtë dhe ofron mundësi për inovacion social dhe ndërmarrësi, përmes së cilit do të përfitojnë afro 400 të rinj. Ndërsa 600 vajza e djem pritet të përfitojnë aftësi të Teknologjisë Informative. /KosovaPress/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.