“Maritim Hotels” mbërrin në Shqipëri, Klosi: Një hap më pranë krijimit të turizmit elitar

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Maritim Plaza është brendi më i ri i hoteleve me 5 yje që vjen në Shqipëri. I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, ministri Klosi tha se ky është një hap më pranë krijimit të turizmit shqiptar elitar.

Ministri i Turizmit theksoi se ardhja e hotelerisë me 5 yje është kurorëzim i përpjekjeve të mundimshme disavjeçare të qeverisjes shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion europian turistik. “Është jo vetëm krenari por edhe kënaqësi që qeverisja e Edi Ramës arriti të vendosë Shqipërinë në hartën e kryeqyteteve me numër të konsiderueshëm hotelesh me standarde të larta. Arritëm të sigurojmë në Shqipëri një fuqi të vërtetë të drejtuar nga hotelet me 5 yje”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij, duke shtuar se hotelet me 5 yje janë një lokomotivë për çuar biznesin e turizmit drejt standardit të lartë.

Ministri i Turizmit theksoi se politikat lehtësuese fiskale të qeverisë shqiptare kanë sjellë një rritje të fortë në zhvillimin e kapaciteteve akomoduese turistike vendase dhe të huaja. “Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 227 struktura të reja akomoduese në vend”, – tha ministri Klosi, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të investitorëve shqiptarë në këtë sektor.

Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi, në emër të kryeministrit, i dorëzoi certifikatën e hoteleve me 5 yje, Maritim Plaza Hotel. Brendi i njohur është krijuar në vitin 1969 dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve akomoduese në Gjermani. Ai pason të tjerë brende që tashmë janë në Shqipëri si: Hilton, Hyat, Merriot, MK Group e Melia dhe shumë investime të tjera të përbashkëta me investitorë shqiptarë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.