Dita Botërore Kundër Urisë, qendër e re sociale në Durrës

TIRANË, 18 tetor /ATSH/- Qendra e re Sociale e Kryqit të Kuq Shqiptar në qytetin e Durrës, u çel sot, në Ditën Botërore Kundër Urisë.

Qendra Sociale është një tjetër kontribut humanitar në fushën sociale i Kryqit të Kuq Shqiptar, në bashkëpunim qeverinë shqiptare, për shtresat më në nevojë. Kjo qendër u realizua në një kohë shumë të shkurtër, pas Qendrës Sociale të Degës së kryqit të Kuq Tiranë që ka nisur funksionimin e saj një vit më parë. Qendra ndodhet në të njëjtën godinë me zyrat e Degës së Kryqit të Kuq Durrës.

Krahas veprimtarive të ndryshme, kjo qendër ka për qëllim që të ofrojë një vakt të ngrohtë falas për më nevojtarët e qytetit të Durrësit, në veçanti për të moshuarit e vetmuar dhe personat në nevojë ekstreme.

Realizimi i kësaj qendre u bë e mundur falë fondeve të vetë Kryqit të Kuq Shqiptar dhe të Republikës Federale të Gjermanisë nëpërmjet Ambasadës Gjermane në Tiranë, që bënë të mundur ngritjen e ambienteve të gatimit dhe të ngrënies.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm, krahas vullnetarëve dhe stafit, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, përfaqësuesja e Ambasadës gjermane, Petra Schmidt dhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, të cilët përshëndetën të pranishmit, dhe frekuentuesit e qendrës.

Në fjalën e tyre ata shprehën besimin dhe sigurinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në të ardhmen. Ashtu si deri tani, Kryqi i Kuq Shqiptar do të bashkëpunojë ngushtë institucionet vendore për evidentimin e më nevojtarëve, frekuentues të kësaj qendre.

Kryqi i Kuq Shqiptar, Dega Durrës beson shumë se kjo qendër do të gjej mbështetjen e donatorëve të qytetit, të cilët ashtu si deri tani, kanë mbështetur veprimtaritë humanitare të organizuara saj.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.