Basha: Mosbesim ndaj raporteve të KE-së, në Europë nuk shkohet me propagandë

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një komunikim me gazetarët pasditen e sotme është shprehur se fajin për mos çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian e ka qeveria. Kjo sipas tij për shkak se kushtet për të ndërmarrë këtë hap nga ana e unionit u shtuan.

“Kushtet ishin 5, u bënë 7, u bënë 9, sepse Shqipëria po bën hapa prapa. Dy kushtet e reja të Bundestagut kanë të bëjnë me procedimin penal të personave për blerjen e votave dhe zgjedhje sipas një kodi të miratuar me konsensusin e forcave politike. Shkaku është se kryeministri aktual vuri fatin e tij, të kriminelëve dhe oligarkëve të tij mbi fatin europian të Shqipërisë,” u shpreh Basha.

Kryedemokrati tha se nuk e ndoqi konferencën e shtypit që Kryeministri Edi Rama mbajti vetëm pak minuta përpara daljes së tij publike, pasi sapo është kthyer nga Berlini me informacionet më të freskëta në lidhje me këto çështje.

“Është e vërtetë që jo vetëm në mbledhjen ku mora pjesë në Berlin, por tash tre vjet mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare në raport me raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Thënë më qartë, raportet e Komisionit Europian për Zgjerimin konsiderohen nga një pjesë e mirë e vendeve anëtare të zbukuruara që nuk paraqesin realitetin. Dhe këtë tha edhe Holanda, kur u shpreh se, nëse në rastin e Maqedonisë ishin dakord, në rastin e Shqipërisë, problemi i krimit, i  korrupsionit dhe i ndarjes së pushteteve i ndalonte në mënyrë absolute të merrnin një vendim për hapjen e negociatave, në kontrast të qartë me raportin e zbukuruar për herë të tretë të Komisionit Europian.  Këtë tha edhe Franca,  jo vetëm në raport me krimin dhe korrupsionin, por edhe në raport  të cilin Franca e ndjen dhe e sheh përditë, problemin e azilkërkuesve shqiptarë,” tha ai.

Basha tha se kjo e shtyu Bundestagun gjerman të bëjë vlerësimin e vet.

“Shumë gjëra ka arritur Edi Rama me propagandë në Shqipëri për shkak të standardit tonë të ulët europian si shoqëri, por në Europë nuk shkohet me propagandë. Në Europë shkohet më të vërteta, të kontrolluara dhe aty ku ka dyshim për kontrollin e parë, kontrollohet edhe një herë tjetër. Dhe kjo ndodhi,” tha më tej lideri i PD.

Basha tha se opozita është gati që nesër për zgjedhje të parakohshme, por me një parakusht.

“Opozita ka një vit që lufton për zgjedhje të parakohshme, padyshim që lufton dhe është e gatshme që të shkojë që nesër, por parakushti është që të kenë standardet minimale, që të jenë për njerëzit”, tha ai.

Gjithashtu, Basha tha se “reforma zgjedhore është urgjencë kombëtare, por jo për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Dua të deklaroj mbështetjen tonë të plotë për objektivat e shpallura nga Bundestagu, krijimi i Kushtetueses, SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë”.

/a.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.